Xhamia e cila ishte ngritur në anën e majtë të rrjedhës së lumit dhe në afërsi të urës së Ibrit, më datë 02 maj 1999 u dogj në tërësi nga forcat paramilitare serbe, për t’i humbur të gjitha gjurmët.
Për sa i përket historisë së themelimit të saj, nga dokumente zyrtare osmane shihet se iniciativa për ngritjen e saj ishte bërë nga ana e banorëve të kazasë së Mitrovicës.
Kjo xhami u ndërtua në mëhallën e themeluar rishtas, e cila u dedikohej muhaxhirëve boshnjakë të ardhur më 1878, pas okupimit të Bosnjës nga Austro-Hungaria, si dhe atyre nga zona të Sanxhakut të Nishit.
Vendosja e muhaxhirëve u bë në hapësira që deri atëherë kryesisht kishin qenë boshe. Konkretisht bëhet fjalë për hapësirën ndërmjet Bajrit (rreth kazermave ushtarake osmane) dhe Lumit Lushtë.
Sipas të dhënave të Bashkësisë Islame të Kosovës, Xhamia në fjalë u themelua gjatë viteve 1880-82 dhe në popull njihej me tre emra:
- Xhamia e Haxhi Kërxhas, sipas emrit të Imamit të parë Haxhi Kërxha (Gërxha);
- për shkak të konfiguracionit gjeografik ku gjendej, si Xhamia e Ibrit;
- dhe Xhamia e Boshnjakëve, për shkak se vendndodhja e saj ishte në lagjen e sapo themeluar për muhaxhirët e Bosnjës që përbënin shumicën e popullsisë së mëhallës në fjalë.
