Siç u bë e njohur edhe më lartë, vendbanimi i Mitrovicës së sotme, në kohën e pushtimit osman ishte në statusin e një fshati dhe urbanizimi i tij u bë nën nismën e Isa Beut dhe njerëzve të afërt të tij të cilët themeluan mesxhide me emrat e tyre.
Mbi këtë realitet edhe Mitrovica përfaqëson njërin nga qytetet e stilit tipik osman, që dalloheshin me xhami, mesxhide, hamame, dyqane, vakëfe, çeshme, mësonjëtore etj., të cilat ishin karakteristikë e panoramës së qytetit osman.
Financimi për ngritjen dhe mirëmbajtjen e objekteve sakrale dhe profane, po ashtu ishte bërë sipas praktikës së civilizimit islam/osman, ku rolin kryesor e luajti buxheti i vakëfeve të themeluara nga ana e Isa Beut, Hysejn Çavush Apardit, Haxhi Nasuhit etj.
Për rezultat, shekulli XIX Mitrovicën e gjen me shumë godina të këtij stili të cilat fatkeqësisht sot nuk ekzistojnë, si rezultat i politikave urbanistike të gjysmës së dytë të shekullit XX, kohë kur Kosova ishte nën okupimin serbo-sllav.
Pushtet i cili ndoqi një politikë të bazuar në sloganin “ta ndërtojmë të renë, duke shkatërruar të vjetrën” dhe “e vjetra zhduket para të resë”, e ku synim kryesor ishte tjetërsimi i identitetit kulturor, i cili përfaqësonte besimin dhe të kaluarën e shumicës së popullsisë, konkretisht asaj shqiptare dhe boshnjake.
