Në periudhën e Abdylhamitit II (1876-1909) arsimit fillor dhe atij të mesëm iu kushtua rëndësi e madhe si mjet për zhdukjen e injorancës dhe përgatitjen e gjeneratave besnike ndaj shtetit.
Me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të reformës në arsim, u emëruan inspektorë të arsimit nëpër vilajete. Njëri nga përkrahësit e reformës ishte edhe Daut Efendi Boriçi nga Shkodra, i cili më 1880 u emërua inspektor i përgjithshëm i shkollave Ruzhdije për gjithë zonën e Anadollit.
Në kuadër të këtyre reformave ishin hapur edhe Drejtoritë e Arsimit (Maârif müdürlüğü) dhe në vitin 1892 në 25 vilajete të ndryshme të gjeografisë osmane ishin aktivë drejtorët e arsimit, duke përfshirë edhe Vilajetin e Kosovës, Janinës, Shkodrës e Manastirit.
Sipas të dhënave të shek. XIX në Vilajetin e Kosovës janë regjistruar 23 Mejtepe të ciklit të lartë fillor Rushdije, 1 Rushdije ushtarake (Askeri Ruşdiyesi) dhe 1 Mejtep Idadije, që është ekuivalent me shkollën e mesme moderne.
Derisa vetëm në periudhën e sundimit të Sulltan Abdylhamitit II (1876-1909) në Vilajetin e Kosovës janë hapur 381 mejtepe të reja sibjan dhe ibtidaje.
Në këto shkolla, krahas lëndëve fetare islame, mësoheshin edhe gjuhët e huaja (arabe dhe perse), matematika, gjeometria, logjika, bukurshkrimi etj.
Siç mund të shihet në tabelën e mëposhtme, në qytetin e Mitrovicës gjatë fundshekullit XIX kanë qenë funksionale mejtepet/shkollat për fëmijë (sibjan), pastaj medreseja Isa Beg dhe Shkolla Rushdije, e cila ishte në statusin e ciklit të lartë fillor.
Institucionet Edukativo-Arsimore sipas Vjetarëve Osmanë 1893-1900.

Megjithëse në salnamen e vitit 1898-1899 në qytetin e Mitrovicës janë regjistruar 2 Rushdije, vetëm njëra nga këto godina ka mbijetuar (edhe pse pas rinovimit ajo më nuk ruan stilin osman të ndërtimit).
