Ottoman Heritage in Mitrovica

Hamami i Mitrovicës

Gjatë periudhës së sundimit osman në Mitrovicë, krahas ndërtimeve sakrale u realizuan një numër i madh objektesh publike me karakter profan. Ndër këto ndërtime me rëndësi, pa dyshim ndër më monumentali sa i përket vlerave historike, kulturore, artistike, shoqërore etj., është Hamami i Zenel Beut. Hamami u ndërtua gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVIII me donator Zejenullah Begun prej nga dhe mori emrin. Me këtë rast duhet theksuar se në literaturë, donatorin e hasim edhe me emrin Zeynedin apo Zenel. Në popull njihet si Hamami i Vjetër. Me po të njëjtin emër është shpallur edhe monument nën mbrojtjen e shtetit nga Enti Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në vitin 1957, nr.v.E.K. 685/57.

Hamami i Zenel Beut ka planimetri kënddrejte dhe i takon tipit të hamameve tek. Pra, nuk ka hapësira të veçanta për dy gjinitë. Por, është përdorur nga gjinia femërore në ditë apo kohë të veçanta gjatë javës dhe në skemën kompozicionale të tij përbëhet nga dhoma e ftohtë, vakët, ngrohtë si dhe furra e hamamit apo kylhanja.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Prerja. (Hylki Salihu, Laura Mlinaku, Vexhajet Metëhiu, Vesel Gjosha)

Struktura e muratimit është e përzier me gurë tulla dhe dru.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. (Visar Hapçiu, 2026)

Tullat dhe drutë janë përdorur kryesisht në dhomën e ftohtë, ndërkaq gurët paksa të gdhendur për pjesën tjetër të hamamit, përkatësisht dhomës së vakët dhe të ngrohtë.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Pamja e jashtme e dhomës së vakët dhe të ngrohtë. (Visar Hapçiu, 2026)

Varësisht nga hapësirat hamami mbulohet me çati, qemer dhe kupola.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Plani në kat. (Hylki Salihu, Laura Mlinaku, Vexhajet Metëhiu, Vesel Gjosha)

Dhoma e ftohtë, njëherazi hapësira më e madhe e objektit, është pjesa hyrëse e hamamit. Zakonisht kjo hapësirë është përdorur për përgatitjet për larje. Ka planimetri katërkëndëshe dhe është në përdhese dhe në kat.

Muret e kësaj hapësire janë realizuar me tulla. Përjashtim bënë muri ngjitur me dhomën e vakët që është realizim me gurë. Qasja në këtë hapësirë realizohet me anë të dy portave, një në secilën anë. Portat janë realizuar me gurë të gdhendur kuadratikë dhe mbulohen me hark. Janë dy kanatëshe apo krahëshe. Krahët e dyerve janë nga druri.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Portali. (Visar Hapçiu, 2026)

Nga dyert me anë të tri shkallëve zbritet poshtë në dyshemenë e dhomës ku në plan qendror është shatërvani i cili deri diku ruan origjinalitetin.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Shadërvani. (Visar Hapçiu, 2026)

Hapësira e përdheses ndriçohet nga gjithsej njëmbëdhjetë dritare të mbuluar me hark paksa të lakuar.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Pamje e portalit dhe dritareve në enterier. (Visar Hapçiu, 2026)

Me këtë rast duhet theksuar se edhe në murin ballor, përballë murit të dhomës së vakët ka pasur hapje të dritareve. Ngjitur për këtë mur, nga ana e jashtme, është një shtëpi banimi, megjithatë vërehen qartë dy hapjet që dikur ishin dritare.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Dritret në fasadën ballore. (Orges Drançolli, 2026)

Potencialisht në këtë mur kanë qenë gjithsej katër dritare dhe një portal kryesor paralel me portën hyrëse për dhomën e vakët siç është rasti me Hamamin e Vjetër të Vushtrrisë. Megjithatë, kjo mbetët vetëm supozim përderisa nuk ka studime më të thella në këtë pjesë të hamamit.

Kati është në formë galerie me hapje në mes. E gjithë struktura është e realizuar nga druri dhe qëndron në katër shtylla qendrore dhe muret konstruktive.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Pamja e galerisë së katit të dytë. (Visar Hapçiu, 2026)

Komunikimi me katin realizohet nëpërmjet shkallëve nga guri të mbështjella me dru origjinal të kohës së ndërtimit.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Shkallët. (Visar Hapçiu, 2026)

Kati ka gjithsej dymbëdhjetë dritare. Tri në murin anësor me pamje nga rruga kryesore, shtatë në murin paralel, si dhe dy dritare në murin në drejtim të pjesës së tjetër të hamamit.

Hapësira e dhomës së ftohtë mbulohet me katër qemerë cilindrike apo në formë të koritës. Qemerët mbulojnë hapësirat paralel me galerinë e katit të dytë dhe qëndrojnë në gjashtë shtylla të drurit në qendër dhe në muret konstruktive të hamamit.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Galeria në kat. (Visar Hapçiu, 2026)
Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Shtyllat në galerinë e hamamit. (Visar Hapçiu, 2026)

Mbi qemerë është e vendosur çatia me katër ujëra. Nga kjo pjesë e hamamit, nëpërmjet derës së mbuluar me hark kalohet në pjesën tjetër të hamamit, përkatësisht dhomën e vakët.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Dera për në dhomën e vakët. (Visar Hapçiu, 2026)

Pjesët anësore të derës janë të realizuar me gurë kuadratikë të rregullt ndërkaq pjesa e harkut me tulla.

Dhoma e vakët, apo dhoma tranzicionale është pjesa ku trupi gradualisht përgatitet për të hyrë në dhomën e ngrohtë. Në anën e djathtë të kësaj pjese të hamamit ka qenë nyja sanitare ku dhe sot përdoret për të njëjtin funksion. Kjo hapësirë mbulohet me qemer në formë cilindrike që shtrihet në tërë gjerësinë ambientit në fjalë. Qemeri përforcohet me dy harqe që zgjaten nga muri konstruktiv i dhomës së ftohtë deri tek muri konstrukiv i dhomës së ngrohtë. Në qemer kemi hapje në formë të okuluseve që kanë shërbyer për ndriçim natyral, ajrosje etj.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Qemeri në dhomën e vakët. (Visar Hapçiu, 2026)

Nga dera e mbuluar me hark, nga dhoma e vakët komunikohet me pjesën kryesore të hamamit, dhomën e ngrohtë.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Dhoma e ngrohtë e hamamit. (Visar Hapçiu, 2026)

Kjo është pjesa ku zhvillohet djersitja dhe pastrimi i trupit. Hapësira në fjalë në aspektin planimetrik ka formë katrore, ndërkaq rregullimin e brendshëm e ka në formë kryqore. Ndarja bëhet me mure dhe arkada. E gjithë hapësira mbulohet me nëntë kube. Një kubë qendrore e madhe dhe tetë të tjera më të vogla. Në qendër të dhomës, nën kubenë e madhe, gjendet guri qendror (tr. gobek tasi- “guri i barkut”). Guri i realizuar nga mermeri ka formë oktaganole.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Guri qëndror. (Visar Hapçiu, 2026)

Në tri «degët» e kryqit, me përjashtim të pjesës së hyrjes, ka nga një eyvan, dhomë të hapur për larje.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Hapësrat e pastrimit. (Visar Hapçiu, 2026)

Në katër qoshet e ambientit, gjenden dhomat private të larjes, halvetet. Dhomat private kanë planimetri katrore (3.5 x 3.5), dhe në to hyhet përmes derës së mbuluar me hark.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Hapësrat private të pastrimit. (Visar Hapçiu, 2026)

Dyshemeja e ambientit është e shtruar me pllaka kuadratike të mermerit. Çdo hapësire ka kurnat, çezmat me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë. Mbi to kemi nike, dollapë të hapura. Çezmat janë të dekoruara me plastikë të imët gurore. Motivet në këto dekoracione, plastikë janë nga bota bimore, përkatësisht lule të stilizuara.

Mitrovicë. Hamami i Zenel Beut. Dekoracione plastike. (Visar Hapçiu, 2026)

E tërë hapësira e ambientit ngrohet me anë të furrës e cila si pjesë konstruktive e hamamit gjendet ngjitur për dhomën e ngrohtë. Nga kjo pjesë, avulli i ngrohtë, nëpërmjet hipokaustit (kanale nën dysheme) kalon tek hapësira në fjalë, kësisoj duke ngrohur ambientin. Hapësira e furrës së hamamit shtrihet në tërë gjerësinë e objektit. Për nevojat e hamamit është shtuar një hapësirë, aneks tjetër ngjitur me furrën e hamamit.

Hamami që nga viti 1953 nuk e ushtron funksionin e tij primar. Në një periudhë është përdorur si muze etnografik, arkeologjik dhe gjeologjik i Mitrovicës ndërsa më vonë për shërbime gastronomike. Sot, po ashtu përdoret si bar dhe si fakt pozitiv është se ambienti i brendshëm i lokalit është dizajnuar duke iu përshtatur, ruajtur materialeve dhe teknikës së ndërtimit. Ndonëse nuk e ruan funksionin origjinal, duhet theksuar se hapja e këtij monumenti për publikun është hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të hamamit në Mitrovicë.

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *