Ottoman Heritage in Mitrovica

Shtëpia e familjes Koroglu

Shtëpia Koroglu është banesë qytetare e ndërtuar në shekullin e XIX nga familja Koroglu (tr. Koroglu, shqip. Qorrolli,). Është shtëpia më e vjetër në qytetin e Mitrovicës dhe i takon tipit të banesës me qoshk, ku një pjesë e hapësirës së banesës del përtej volumit kryesor të objektit.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Fasada Ballore. (Visar Hapçiu, 2026)

Banesa është përdhese dhe në kat. Si material ndërtimor, siç ishte dhe zakon për banesat qytetare në Kosovë dhe me gjerë, është guri, qerpiçi dhe druri.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu para restaurimit. (QRTK- Mitrovicë)

Që nga viti 1978 shtëpia është shpallur monument, nr.v. E.K. 02-354/78. Gjatë vitit 2023 shtëpia është djegur, mirëpo pas punëve restauruese, objekti është rindërtuar.

Në aspektin planimetrik, objekti arkitektonik ka bazë kënddrejte. Në katin përdhes, në pjesën e përparme të banesës sot kemi tri hapësira pothuaj të së njëjtës madhësi.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Plani i përdhesës. (Laura Mlinaku Mikullovci, Vexhajet Metëhiu)

Hapësira nga porta hyrëse është korridori. Në të majtë të korridorit është një hapësirë tjetër që shfrytëzohet si kuzhinë. Këto dy pjesë dikur ishin të ndara me mur ndarës i cili më nuk ekziston.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Hapësira e korridorit dhe kuzhinës. (Visar Hapçiu, 2026)

Kjo hapësirë ndriçohet me dritare të mbuluar me arkitra, tri kanatëshe. Në të djathtë të korridorit është një dhomë e cila është më e madhja e katit përdhes. Kjo hapësirë është ndriçuar në fasadën ballore me dritare tri kanatëshe dhe në atë anësore me dritare katër kanatëshe.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Dhoma në përdhesë. (Visar Hapçiu, 2026)

Në pjesën e prapme të objektit, kemi një dhomë tjetër më të vogël, paralel me dhomën e madhe, e cila gjithashtu është e ndriçuar me dritare trikanatëshe. Komunikimi me këtë dhomë bëhet nga dhoma e madhe dhe korridori. Në çoshin tjetër të banesës, njëherazi hapësira më e vogël e katit të parë është banjë. Në mes të banjës dhe dhomës së vogël është një korridor tjetër. Në këtë korridor kemi shkallët e drurit për komunikim me katin si dhe një derë dytësore për dalje prapa shtëpisë.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Shkallët e brendshme. (Visar Hapçiu, 2026)

Kati i shtëpisë, ka rregullim të brendshëm pothuajse të ngjashëm me përdhesen, megjithatë, hapësirat kanë funksione të ndryshme.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Plani i katit. (Laura Mlinaku Mikullovci, Vexhajet Metëhiu)

Në këtë pjesë, krahas shkallareve të brendshme të drurit në korridorin në pjesën e pasme të objektit, që i përmendëm më lartë, arrihet edhe me njëmbëdhjetë shkallët e realizuara nga gurët, pranë hyrjes kryesore, në pjesën e jashtme.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Shkallët e jashtme. (Visar Hapçiu, 2026)

Nga këto shkallë është hyrja në korridor qendror në mes të shtëpisë që zgjatet në gjatësinë e dy mureve konstruktive, atij ballor dhe të pasmë.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Korridori i katit. (Visar Hapçiu, 2026)

Përballë derës hyrëse me konstruksion druri është realizuar një dollap ku janë ruajtur produktet e bulmetit.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. (Visar Hapçiu, 2026)

Në dy anët e korridorit kemi nga dy dhoma. Dhomat në pjesën e përparme të shtëpisë janë më të mëdha ndërkaq ato të pjesës së prapme më të vogla. Çka e veçon katin është, qoshku në fasadën qendrore, i cili del nga volumi i banesës dhe qëndron në katër shtylla. Qoshku ndriçohet nga nëntë dritare dy kanatëshe. Brenda këtij ambienti, në tri faqet kryesore, me konstruksion druri është i realizuar minderi.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Enterieri i Qoshkut. (Visar Hapçiu, 2026)

Dhomat në pjesën e përparme të shtëpisë janë pothuajse identike. Dallim kemi në numrin e dritareve. Të dy dhomat në fasadën ballore ndriçohen me nga tri dritare dy kanatëshe. Dhoma në anën e djathtë të shtëpisë, ka tri dritare tjera dy kanatëshe dhe një dritare katrore më të vogël.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Dhoma në anën e djathtë të shtëpisë. (Visar Hapçiu, 2026)

Po ashtu është paksa më e madhe për nga volumi i brendshëm. Në të dy dhomat arrihet përmes korridorit kryesor. Në pjesën e brendshme të dhomave kemi nga një hamamxhik (banjë), dollap në mes të së cilave qëndron oxhaku.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Dollapi, oxhaku dhe hamamxhiku i dhomës. (Visar Hapçiu, 2026)

Dhomat e pjesës së pasme të objektit janë më të vogla. Janë pothuajse identike dhe kanë nga dy hapje, dritare, një në muret anësore dhe një në murin fundor të shtëpisë.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Dhoma e vogël në katin e shtëpisë. (Visar Hapçiu, 2026)

Tavanet e katit të shtëpisë janë nga druri dhe të dekoruara.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Detaj i tavanit. (Visar Hapçiu, 2026)

Shtëpia mbulohet me çati katër ujëshe. Çatia në pjesët anësore del përtej mureve konstruktive. Në oborrin e shtëpisë, në ambient të hapur është ndërtuar “shtëpia e zjarrit”.

Mitrovicë. Shtepia Koroglu. Shtëpia e zjarrit në ambient të hapur. (Visar Hapçiu, 2026)

Oborri është i rrethuar me mur me gur të madhësive të ndryshme. Pas restaurimit të fundit, shtëpia është rikthyer në gjendje të mëparshme. Sot anëtarët e familjes jetojnë në shtëpinë që gjendet në oborrin e banesës, ndërkaq objekti arkitektonik është i zbrazët, pa funksion.

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *