Në kuadër të arkitekturës sakrale në Mitrovicë, janë dhe dy tyrbet në fshatin Suhodoll. Tyrbja e Sheh Jonuz Efendisë 1848-1909, e ndërtuar në fund të sundimit osman si dhe Tyrbja e Sheh Vejsel Efendisë 1872-1926, e ndërtuar pas vdekjes së këtij të fundit.
Tyrbet janë në kuadër të kompleksit të teqesë. Teqeja e rendit Melami u themelua nga Sheh Jonuz Efendiu, i cili në kuadër të kompleksit ndërtoi dhe një mejtep. Me vdekjen e tij në vitin 1909 u ngrit dhe tyrbja nga Sheh Vejsel Efendia i cili po ashtu prehet në tyrben ngjitur të realizuar në vitin 1926.
Tyrbet kanë planimetri oktagonale dhe janë të ngjitura për njëra-tjetrën. Janë njëhapësinore dhe mbulohen me kube. Struktura e muratimit është nga guri. Në çdo faqe të mureve ka nga një dritare që mbulohet me hark. Përjashtim bën faqja ku tyrbet bashkohen. Dritaret janë të siguruara me parmak metalik. Dyert janë nga ana veriore. Hapësirat e brendshme janë mjaft modeste. Në secilën tyrbe gjendet nga një varr.
Pas demolimit dhe tentimit për djegie, shkatërrim nga forcat e sigurisë serbe në luftën e fundit 1998-1999, teqeja dhe tyrbet u rindërtuan. Në pjesën e harqeve të dritareve dhe kurorës së tyrbeve u shtuan materiale ndërtimore që nuk i takojnë kohës së ndërtimit.



