Ottoman Heritage in Mitrovica

Xhamia e Mazhiqit

Në pjesën veriperëndimore të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht në rrugën Mitrovicë- Podujevë, në fshatin Mazhiq gjendet Xhamia e Muslihudin Muezin Hoxhës apo siç njihet në popull me emrin Xhamia e Trepçës ose Xhamia e Mazhiqit. Xhamia u ndërtua gjatë periudhës së sundimit osman në Kosovë, më saktësisht në vitin 1549. Donator i këtij objekti sakral ishte Mevlana Muslihudin bin Abdyl Ganiu. Sipas vakëfnames së tij së bashku me objektin u ndërtua dhe një han për udhëtarët. Abdyl Ganiu, përveç ndërtimeve në fshatin Mazhiq, ai gjithashtu ishte donator i shumë objekteve tjera si në Shkup, Pazarin e Ri, etj.

Xhamia në aspektin stilistik, i përket stilit të ndërtimit osman me elemente vendore. I takon tipit të xhamive klasike të mbuluara me kube në Kosovë. Element ky që e bënë edhe më të veçantë objektin e kultit islam, marrë parasysh numrin e pakët të xhamive të këtij tipi të realizuar në fshatrat e Kosovës. Xhamia është shpallur monument kulture nga Enti Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës që nga viti 1966, nr.v.E.K. 02-957/66. Përkundër statusit të saj të monumentit, xhamia sot gjendet në gjendje jo të mirë, afër rrënimit.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. (Agron Islami, 2018)

Megjithatë, në bazë të mureve të mbetura dhe duke u bazuar në xhamitë e tjera të realizuara në Kosovë gjatë periudhës dhe stilit të njëjtë të ndërtimit si dhe disa artikujve shkencor, mund të japim disa konkluzione për arkitekturën e objektit.

Xhamia ka planimetri katrore. Në skemën kompozicionale të saj përbëhet nga salla e lutjeve, hajati apo portiku si dhe minarja e realizuar në anën e djathtë të xhamisë.

Xhamia e Mazhiqit. Plani. (Arta Selimi, Blertë Aliu, Fisnik Zherka)

Xhamia është njëhapësinore dhe mbulohet me kube. Këto karakteristika i hasim shpesh në realizimet e periudhës dhe stilit në fjalë në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë dhe trojet e banuara nga shqiptarët. Si material ndërtimor është përdorur kryesisht guri dhe tulla. Nga guri janë realizuar muret e xhamisë ndërkaq nga tulla, siç edhe është tradita në arkitekturën e stilit osman, janë realizuar pandantivet si dhe kupolat e xhamisë. Kjo edhe për faktin se tulla si material ndërtimi ka peshë më të lehtë. Si elemente përforcuese konstruktive në mure të xhamisë janë përdorur hatullat e drurit. Duke u bazuar nga një fragment i murit në anën jugperëndimore të xhamisë i cili duket se ruan ende gjendjen origjinale të kohës, mund të përfundohet se xhamia ishte e ndërtuar me gur të gdhendur kuadratik. Kalimi nga forma kuadratike e sallës së lutjeve në kubenë rrethore arrihet me anë të pandantiveve.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Pamja jugperëndimore. Fragment i murit dhe dritares. (Visar Hapçiu, 2026)

Nga pandandivet si pjesë konstruktive funksionale në tamburin apo unazën tetë apo dymbëdhjetë këndore mbi të cilën është realizuar kësula e kubesë.

Xhamia e Mazhiqit. Prerja. (Arta Selimi, Blertë Aliu, Fisnik Zherka)

Meqenëse nuk kemi ndonjë indikacion për unazën e objektit, atëherë duke u bazuar në xhamitë e realizuara në shekullin e njëjtë si ajo e Llapit në Prishtinë, Mehmet Pashës në Prizren (1573-‘74), Hasan Agës në Rogovë të Hasit (1580-‘81), Koxha Sinan Pashës në Kaçanik (1594-‘95) si dhe Hadumit në Gjakovë (1594-‘95), mund të supozohet se unaza ishte oktagonale.

Hyrja në sallën e lutjeve është realizuar me anë të derës, e cila sipas të gjitha gjasave, duke u bazuar në muret e mbetura, ka qenë në anën e majtë të objektit. Pra, nuk ka qenë qendrore. Në tri muret e mbetura, atë ballor të mihrabit dhe dy muret anësore, mund të vërejmë se salla e lutjeve ka nga dy rende dritaresh. Rendi i parë dritare kuadratike që përfundojnë me arkitra. Ndërkaq, rendi i dytë me nga dy dritare më të vogla të cilat gjithashtu përfundojnë me arkitra. Duke u bazuar nga pamjet e jashtme mund të supozojmë se mbi arkitra kemi pasur të realizuar timpanon të verbër i cili ka përfunduar me hark paksa të thepisur i realizuar nga tullat. Raste të ngjashme hasim edhe në xhamitë e Prishtinës si ajo e Çarshisë, Llapit dhe e Jashar Pashës. Duke u bazuar në shembujt e tjerë në Kosovë mund të themi se xhamia i kishte të paktën edhe dy dritare në rendin e parë në fasadën kryesore. Në muret anësore në mes të dritareve të rendit të parë gjendet nga një dollap. Ndërkaq, në murin ballor gjendet mihrabi.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Dritaret në enterierin e xhamisë. (Visar Hapçiu, 2026)

Mihrabi si pjesë konstruktive e xhamisë është i realizuar me gurë të rregullt kuadratikë. Është pjesa më e dekoruar e objektit, dhe ka formë kuadratike.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Mihrabi. (Visar Hapçiu, 2026)

Konturat e mihrabit janë të profilizuara, kësisoj duke e theksuar dhe e veçuar elementin konstruktivo-arkitektonik e plastik. Në kuadër të mihrabit gjendet hapja në formë të nikesë. Nikea nuk është këndore por rrethore, ndërsa në pjesën e sipërme ka gjashtë rende të dekoruara me stalaktike tipike për dekoracionet e stilit osman. Stalaktike, ndonëse në gjendje jo të mirë, hasim edhe në pandantivet e objektit.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Dekoracionet në Pandantive. (Visar Hapçiu, 2026)

Çka bie në sy në këtë element konstruktiv janë hapjet në formë rrethore me enë qeramike të cilat përveç që lehtësojnë peshën e strukturës, ato shërbejnë si izolues termik, ventilim dhe përmirësimin e akustikës duke funksionuar si rezonator. Përdorimi i këtyre elementeve është i hershëm dhe gjente aplikim që nga antikiteti e veçanërisht është përdorur edhe në arkitekturën bizantine e më vonë dhe atë osmane.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Tubat e qeramikës. (Visar Hapçiu, 2026)

Portiku i xhamisë është pothuajse tërësisht i rrënuar. Nga kjo hapësirë e xhamisë ka mbetur vetëm një mur, ai verilindor, i cili zgjatet nga salla e lutjeve. Kjo nënkupton se në gjendjen origjinale portiku apo hajati ka ekzistuar. Duke u bazuar edhe në pjesën e sipërme të murit ballor të xhamisë, përkatësisht dy harqeve me tulla, bën të kuptohet se portiku i xhamisë kishte dy harqe mbi të cilat potencialisht nga një kupolë. Ky variant i portikut është unik për xhamitë e Kosovës dhe e bën më të veçantë ndërtimin në fjalë.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Pamje nga fasada ballore. (Visar Hapçiu, 2026)

Tutje, nga muri i mbetur, dhe duke u bazuar në paraqitjen grafike të planit të objektit bëhet e ditur se nga kjo hapësirë është bërë komunikimi me minaren. Sot nga minarja kanë ngelur vetëm rrënojat e bazës së minares.

Mitrovicë. Xhamia e Mazhiqit. Rrënojat e minares. (Visar Hapçiu, 2026)

Gjendja e tanishme e monumentit është mjaft e degraduar. Përveç masave emergjente mbrojtëse nuk kemi ndonjë intervenim tjetër. Xhamia e Mazhiqit si ndërtim arkitektonik, paraqet një nga ekzemplarët e rëndësishëm të trashëgimisë së periudhës osmane në Kosovë, përkatësisht tipit të xhamive të mbuluara me kube. Andaj, ndërhyrjet për restaurimin e objektit veç rikthimit në funksion primar të ndërtesës, njëherazi do të shërbenin për ruajtjen e një prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit të Mitrovicës dhe shembujve më unik të ndërtimeve të kultit islam të stilit osman me elemente vendore në Kosovë e rajon.

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *