Ottoman Heritage in Mitrovica

Epitafet

Një element tjetër i urbanistikës së qytetit të Mitrovicës e përbëjnë edhe epitafet me mbishkrim osman të cilat dëshmojnë për një kulturë urbane të qytetit.

Njëherësh, kjo komponentë e urbanistikës së qytetit nxjerr në pah edhe aspekte të arsimimit të popullatës vendore të cilët me skalitjen e teksteve në gurë, ruanin kujtimin për më të dashurit e tyre.

Tekstet e gdhendura në gurëvarre shpërfaqin edhe anën e identitetit kulturor/fetar të mitrovicasve të shekujve në fjalë.

Nëpërmjet epitafeve të cilat kanë arritur deri në ditët tona, njihemi me emrin e Murtezanit nga familja e Vocëve të trevës së Mitrovicës. Nëse marrim për bazë vendndodhjen e gurvarrit i cili gjendet në oborrin e Xhamisë monumentale të Mazhiqit, mund të vijmë në përfundim se i ndjeri ka ndërruar jetë duke qenë në ndonjë pozitë shërbyese në Xhaminë në fjalë.

Epitafi i Murtezanit, biri i Osman Vocit, viti 1592, oborri i Xhamisë në Mazhiq. (Foto Visar Hapçiu)

Epitafet e gjetura në oborrin e Xhamisë së Haxhi Veselit, megjithëse janë të vonshme, edhe për nga bukurshkrimi, por edhe nga informacioni historik përbëjnë një burim të dorës së parë për studiuesit.

Kështu, referuar stilit të shkrimit të epitafit të zonjës Hasibe të bijës së Murat Beut, e cila kishte ndërruar jetë më 1887 dhe atij të Ali Pashë Dragës (vdekur më 1900) të birit të Haxhi Ferhat (Dragës), kuptohet se janë punuar nga i njëjti gurgdhendës.

Derisa epitafi i Sylejman Agës, i njohur si Gjakovali, argumenton zhvillimin e qytetit të Mitrovicës pas viteve ’70 të shekullit XIX dhe tërheqjen e agallarëve nga zonat tjera.

Epitafi i zonjës (hanëm), Hasibe, e bija e Murat Beut, viti 1887, Xhamia e Haxhi Veselit. (Foto Visar Hapçiu).
Epitafi i Ali Pashë Dragës të birit të Haxhi Ferhatit, viti 1900, Xhamia e Haxhi Veselit. (Foto Visar Hapçiu).
Eptafi i Gjakovarit Sylejman Aga, i biri i Ahmed Agës, viti 132(?)/1900-1911?, Xhamia e Haxhi Veselit. (Foto Visar Hapçiu).

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *