Ottoman Heritage in Mitrovica

Xhamia e Bajrit/Hamidije

Xhamia e cila në popull njihet si Xhamia e Bajrit, në dokumentacionin zyrtar të kohës së ndërtimit, e hasim me emrin Hamidije.

Kështu, sipas një vendimi të datës 13 qershor 1895, nënkuptohet se Porta e Lartë kishte ndarë fonde për përfundimin e punimeve në Xhaminë e mëhallës “Hamidije”, si dhe në dy mejtepet dhe xhaminë e fshatit të themeluar rishtas për muhaxhirët në zonën e quajtur Çezma e Çobanit (Çoban Çeshmesi).

Marrë parasysh emrin parësor të mëhallës “Hamidije”, e që edhe xhamia njihet po me të njëjtin emër, nënkuptohet se punimet fillestare për ngritjen e xhamisë ishin bërë menjëherë pas disfatës së osmanëve karshi ushtrive ruse, e cila u pasua me marrëveshjen e Shën Stefanit (mars 1878) dhe Kongresin e Berlinit (qershor 1878).

Pas këtyre vendimeve, Vilajeti i Kosovës u përball me valën e madhe të muhaxhirëve të Sanxhakut të Nishit dhe atyre të Bosnjës.

Kështu, në një shkresë të mytesarrifit të Prishtinës të datës 10 nëntor 1896, specifikohet se punimet fillestare në xhaminë e mëhallës Hamidije ishin bërë nga ana e banorëve të Mitrovicës, por që kishin mbetur në gjysmë.

Madje, si rezultat i mungesës së fondeve për të plotësuar punimet, ishte dëmtuar edhe pjesa e punuar më herët nga fondi i qytetarëve lokalë.

Siç e kemi parë tanimë, nga salnameja kuptohet se punimet në këtë xhami kishin vazhduar edhe gjatë vitit 1900.

Megjithëse nuk dimë se në cilin vit kishin përfunduar punimet e Xhamisë, nga rrëfenja popullore dihet se në vitet e para të dekadës së parë të shekullit XX, Xhamia ishte funksionale.

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *