Ottoman Heritage in Mitrovica

Faltoret islame në shekujt klasik osman në Mitrovicë

Historia e faltoreve islame në Mitrovicën e sotme zë fill qysh nga dekada e gjashtë e shek. XV. Konkretisht ngritjet e para të objekteve të kësaj natyre realizohen nga ana e Isa Begut dhe Vojvoda Hoshkadem të cilët ngritën dy mesxhide për faljen e namazeve ditore.

Defterët e shekullit XVI, dëftojnë për ndryshimin e statusit të këtyre mesxhideve në xhami gjatë kësaj kohe. Sigurisht që ky transformim i këtyre faltoreve (mesxhideve) që për synim kishin krijimin e kushteve juridike (islame) për faljen e namazit javor të xhumasë erdhi si shkak i rritjes së numrit të myslimanëve në qytet.

Sipas këtyre të dhënave, Mesxhidi Isa Beg, prej vitit 1565 kishte marrë statusin e xhamisë. Derisa transformimi në xhami i mesxhidit Apardi Hysejn Bej kishte ndodhur në vitin 1592.

Nga defterët e emërimeve të personelit fetar të Mitrovicës, kuptojmë se në gjysmën e dytë të shekullit XVIII në qytet kishte ndodhur emërimi i Haxhi Hasanit në pozitën e Imamit në Mesxhidin Haxhi Nasuhi (El-Haxh Nasuh mesxhidi) dhe i njëjti ishte emëruar Salahan (thirrës i salavateve para namazit të xhumasë) në xhaminë Apardi Hysejn Çaushi.

Faksimil i aktit të emërimit të Haxhi Hasanit imam në mesxhidin Haxhi Nasuh dhe salahan në xhaminë Apardi Hysejn Çaush në Mitrovicë

Marrë parasysh këtë të dhënë, mund të konfirmohet se qysh në gjysmën e parë të shek. XVI, në mëhallën e quajtur Haxhi Nasuh (e cila për herë të parë del e regjistruar në defterin e vitit 1550) ishte ngritur edhe mesxhidi përkatës me emrin e njëjtë të mëhallës.

Kjo faltore, ndryshe nga Mesxhidi Apardi Hysejn, i cili në këtë burim paraqitet me statusin e Xhamisë, edhe në shekullin XVIII e ruan funksionin e faltores (mesxhidit) për faljen e namazeve ditore.

Megjithëse kemi probleme qoftë në identifikimin e vendndodhjes së xhamive të shekullit XVI, apo për fatin e tyre gjatë periudhës së socializmit komunist, sipas rrëfenjës së Rexhep Mitrovicës, Xhaminë e Gazi Isa Beut, serbët e rrënuan në vitin 1912, menjëherë pas pushtimit të Kosovës.

Derisa nga rrëfenja popullore kuptojmë se Xhamia e Vojvodës Hoshkadem në popull njihej edhe si Xhamia e Çarshisë.

Lista e xhamive të periudhës Klasike Osmane (Kohë e re shek. XIV-XVIII)

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *