Ottoman Heritage in Mitrovica

Të dhëna nga shekulli XIX mbi qytetin e Mitrovicës

Me themelimin e Vilajetit të Kosovës më 1877/78, kazaja e Mitrovicës administrativisht u bë pjesë e sanxhakut të Prishtinës.

Sipas të dhënave të Salnames (Vjetarit) të Vilajetit të Kosovës, në vitin 1896, qyteti i Mitrovicës formohej nga 7 mëhallë dhe kishte rreth 550 shtëpi të cilat shtriheshin në dy anët e lumit Ibër. Në anën jugore të lumit gjendej lagja Saraj me 30-40 shtëpi.

Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i popullsisë ishte 3413 banorë. Respektivisht në vjetarin në fjalë thuhet se popullata e kazasë së Mitrovicës përbëhet nga 2275 meshkuj dhe 1138 femra.

Sa i përket infrastrukturës së qytetit, ky raport zyrtar i vilajetit thekson se kazaja ka:

  • konakun qeveritar me dy kate dhe 13 zyre, i cili kishte dhe një hambar që zinte 300 000 okë ushqim;
  • Spitalin Hamidije që mbante emrin e Sulltan Abdylhamitit II;
  • 10 kazerma të vogla që strehojnë 70 ushtarë;
  • 5 stalla për kafshët e ushtrisë;
  • një godinë ushtarake me 3 kate;
  • një depo për ruajtjen e topave;
  • një karakoll policie me 4 dhoma, i cili gjendet tre kilometra jashtë kazasë.

Në kuptimin e objekteve sakrale dhe profane përmenden:

  • 4 xhami;
  • 1 mesxhid;
  • 1 kishë;
  • 1 shkollë rushdije (cikël i lartë fillor) me 49 nxënës;
  • një shkollë fillore (ibtidaije) me 111 nxënës;
  • 3 mejtepe (shkolla) myslimane me 12 nxënës meshkuj dhe 952 nxënëse femra;
  • 1 mejtep për nxënës të krishterë me 30 nxënës;
  • 1 medrese;
  • 1 telegrafhane;
  • 34 magaza (markete);
  • 300 dyqane;
  • 12 furra;
  • dy hamame të mëdha;
  • një sahat me zile;
  • një stacion treni.

Në veprën Kamusul-Alam, e botuar në vitin 1889, me autor Shemsedin Samiun (Sami Frashërin), një nga figurat më të njohura osmane dhe shqiptare të shekullit XIX, gjenden të dhëna interesante në lidhje me qytetin e Mitrovicës.

Sipas këtij burimi, Mitrovica e cila shtrihej në anën e djathtë të lumit Ibër dhe lumthit Sitnicë ishte qendër kazaje e Sanxhakut të Prishtinës, e cila gjendej në veriperëndim të këtij të fundit, në largësi prej 38 km.

Ai shkruan se në qytet ka:

  • 3 xhami;
  • 1 mesxhid;
  • shkollën fillore dhe Liceun;

kurse mbi qytet gjendej edhe një kështjellë e shkatërruar.

Nga kjo e dhënë kuptojmë se qyteti në këtë kohë kishte një popullsi prej 5 000 banorësh dhe kjo popullatë përbëhej nga boshnjakët dhe shqiptarët që në shumicë i takonin besimit islam.

Në kohën kur Sami Frashëri hartoi fjalorin enciklopedik, stacioni i fundit i hekurudhës osmane që shpie nga Selaniku në drejtim të Bosnjës, ishte në Mitrovicë.

Vjetari i vitit 1900 megjithëse përsërit të dhënat e vjetarit të vitit 1893, ofron informacion të vlefshëm mbi identifikimin e kohës së ndërtimit të disa objekteve ushtarake.

Konkretisht thuhet se në vitin 1879 u ndërtuan 6 kazerma ushtarake për 50 persona. Po ashtu në këtë raport shtetëror specifikohet edhe detaji se në këtë kohë kishte filluar së ndërtuari xhamia në lagjen Hamidije.

Sipas këtij burimi zyrtar del se në Ruzhdijen e Mitrovicës kishte 34 nxënës dhe në qytet ishin edhe dy shkolla/mektebe sibjan (për fëmijë) aktive. Njëri prej tyre ishte ai i vajzave që gjendej në lagjen Xhelebverdi dhe një mejtep tjetër në lagjen Saraj (si duket për djem A. I.).

Sipas këtij raporti, kuptojmë se në qytet përveç gjuhës turke flitej gjuha shqipe dhe ajo boshnjake.

Sipas të dhënës zyrtare të administratës osmane në qershor të vitit 1880, qyteti i Mitrovicës kishte 4563 banorë, prej të cilëve 2567 ishin myslimanë, 1447 jo myslimanë dhe 549 muhaxhirë të konfesionit mysliman të cilët ishin vendosur gjatë kohës së luftës osmano-ruse më 1878.

Duhet theksuar se ky regjistrim është bërë për nevoja ushtarake dhe përfshin vetëm meshkujt dhe si i tillë nuk është i plotë.

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *