Mitrovica, është një vendbanim mesjetar, i cili e ka trashëguar emrin e vjetër në formën Dhimitra Dimitri. Të dhënat më të hershme të zbuluara deri më tani, burojnë nga dokumente të republikës së Dubrovnikut, konkretisht nga fondi “Lementa de foris” i vitit 1446, ku Mitrovica përmendet me substratin e emrit të vjetër “De Dimitrouc”. Në fund të shekullit XV, udhëtari Arnold von Harffi e përshkruan këtë vendbanim si kasaba me emërtimin “Mitrix”. Ndërkaq, gjatë shekullit XVII, gjeografët osmanë e evidentojnë si njësi administrative (kaza) me emrin Mitrofçacik (Mitrovicë e vogël). Një qasje të ngjashme paraqet edhe udhëtari i njohur osman Evliya Çelebiu, i cili thekson se, për dallim nga Mitrovica e Sremit, kjo qendër njihej si Mitrovica e Kosovës.2 Në defterët e parë osman të shekujve XV-XVII, e gjejmë të regjistruar në formën osmane Dimitrofça (ﺩﻴﻤﺘﺭﻭﻓﭽﻪ), derisa në regjistrimet osmane të shekullit XIX del versioni i sotëm i emrit të qytetit Mitroviça.
Pushtimi i Mitrovicës nga osmanët daton rreth gjysmës së shekullit XV. Për këtë realitet, të dhënat e para i gjejmë të regjistruar në defterin përmbledhës të kadastrës osmane, i titulluar “Suret-i defter-i mücmel-i Yeleç ve Izveçan ve Hodidede ve Senica ve Ras ve Üsküb ve Kalkandelen ma‛a tevâbihâ” (Regjistri Përmbledhës i Jeleçit, Zveçanit, Hodidedes, Senicës, Rasit, Shkupit dhe Tetovës).
Në këtë regjistrim të vitit 1455 janë ruajtur në formë të shkruar haset dhe timaret e Isa Beut dhe të njerëzve të tij që u përfshin në kuadër të Ejaletit të Bosnjës, e ku Mitrovica e regjistruar si Dhimitrovcë, ishte një fshat i vogël në varësi të kalasë së Zveçanit dhe kjo e fundit ishte në kuadër të Ejaletit në fjalë (Bosnjës).5 Njëri nga timaret e subashit të Zveçanit, Jusufit, i cili formohej nga fshati Rudar dhe Dhimitrofca kishte një të ardhur vjetore prej 5.075 akçesh. Sipas këtyre të dhënave, fshati Dhimitrovcë, përbëhej nga 15 shtëpi (2 prej të cilave ishin shtëpi myslimane dhe 13 jo myslimane).
Si rezultat i zgjerimeve të vazhdueshme të osmanëve në këto anë, administrata osmane në vazhdimësi pësoi ndryshime. Kështu, me themelimin e Sanxhakut të Bosnjës më 1463, njësitë administrative të rajonit të Rasit të vjetër, u integruan në kuadër të Jeleçit si nahije7, e cila ishte e varur nga Sanxhaku i Bosnjës. Në fundin e dekadës së gjashtë të shekullit XV, guvernatori i Bosnjës, Gazi Is’hak Beu, i biri i Isa Beut, themeloi Jeni Pazarin dhe kështu qendra e gjykatës osmane në Jeleç u bart në qytetin e ri të Jenipazarit.
Nga regjistrimi i vitit 1485 dhe 1489 shohim se kishte pasur një risistemim administrativ në këto anë, ku nahija e Zveçanit kishte hyrë nën varësinë e Jenipazarit. Gjatë dekadave të fundit, nahija e Zveçanit u ngrit në statusin e kazasë (rrethit gjyqësor), nën varësinë e vilajetit/sanxhakut të Jenipazarit. Po ashtu edhe Dhimitrovca/Mitrovica në këtë kohë regjistrohet si nefs-i bazar, e varur nga Nahija e Zveçanit, që nënkupton se pati një zhvillim të hovshëm në këtë fshat, i cili u transformua në një qendër tregtare.
Në kuptimin e përgjithshëm të vizionit osman mbi qendrat urbane, termi nefs përdorej për vendbanimet që kishin një numër më të madh të banorëve dhe një aktivitet të shtuar ekonomik, në krahasim me vendbanimet përreth. Njëherësh banorët e kësaj qendre (nefs) përbëheshin nga grupe esnafësh, dhe u njihej edhe statusi shehirli (i qytetarit). Përveç tyre në qendra urbane banonte edhe elita e qytetit, personalitetet fetare (imam, myezin, shejh, dervish e prift), funksionarë shtetërorë etj.
Megjithëse nuk kemi të dhëna që dëshmojnë prezencën e esnafëve në këtë kohë, përmendja e dy mesxhideve (faltore për faljen e namazeve ditore) të ngritura rreth vitit 1468 nga ana e Isa Beut dhe vojvodës Hoshkadem, si dhe prezenca e imamëve, myezinëve dhe myteveliut (administrator i vakëfit/fondacionit), dëshmon për urbanizimin e këtij vendbanimi, i cili duket se u zhvillua në të njëjtën kohë me Jenipazarin.
Siç dihet, Isa Beu,10 i cili gjatë viteve 1430-1463 ishte në pozitën e sanxhakbeut të Shkupit dhe nga viti 1464-1470, sanxhakbej i ejaletit të Bosnjës, njihet për themelimin e vakëfeve (fondacioneve) bamirësi në trevën e Dardanisë antike dhe të Bosnjës, të cilat ndikuan në zhvillimin e qyteteve në këto anë. Madje ai njihet edhe për urbanizimin e vendbanimeve që deri në atë kohë kishin qenë të parëndësishme (ose e kishin humbur rëndësinë) siç është rasti me Sarajbosnën (Sarajevën e sotme), Jenipazarin si dhe shndërrimin e fshatit Dhimitrofcën/Mitrovicën në një qendër të rëndësishme tregtare për zonën.
Defterët e shekullit të parë të Ejaletit të Bosnjës dhe jo vetëm dëftojnë se, Isa Beu dhe njëri nga njerëzit e tij të afërt, Vojvoda Hoshkadem, ngritën nga një mesxhid në Dhimitrofcë dhe për mirëmbajtjen e tyre vunë në dispozicion pasuri të vakëfeve personale. Nga regjistrimet osmane të dekadës së shtatë të shekullit XV, shohim se Vojvoda Hoshkadem ngriti edhe një Mësonjëtore (Mualimhane) dhe një Hamam në Dhimitrovcë.
Si rrjedhojë e këtyre ndërtimeve me karakter publik, kjo zonë përbënte një hapësirë që në vazhdimësi shënoi rritje të popullsisë, e cila vinte nga zonat përreth. Ky realitet shpërfaqet në defterët e Ejaletit të Bosnjës të shek. XV. Kështu, Mustafai i biri i Hazir Vilçiterinës (vushtrriasit), Skenderi i biri i Abdullahut nga Elbasani, Xhaferi i biri i Abdullahut nga Krushevci etj., regjistrohen si banorë të Dhimitrovcës/Mitrovicës.
Zhvillimi i Dhimitrofcës/Mitrovicës vërehet edhe me themelimin e lagjeve të reja myslimane në këtë qendër tanimë urbane. Kështu, në regjistrimin e vitit 1485 Dhimitrofca/Mitrovica regjistrohet si has i Sanxhakbeut të Bosnjës nën statusin administrativ nefsi-bazar (qendër tregtare) me dy mëhallë myslimane që identifikoheshin me emrat e imamëve të mesxhideve. Respektivisht Mëhalla e Imam Baliut me 24 shtëpi dhe ajo e Imam Xhemal Fakihut me 39 shtëpi.
Ndërkohë në regjistrimin pasues të vitit 1489, përveç dy mëhallëve myslimane me 57 shtëpi janë regjistruar edhe 8 shtëpi, një beqar dhe një vejushë të konfesionit të krishterë. Njëherësh në këtë defter janë dhënë informacione edhe mbi profesionet e banorëve në dy lagjet myslimane.
Sipas kësaj në mëhallën Kasëm Hoxha banonin: 1 imam, 3 papuçarë, 3 çizmexhinj, 2 masazherë, 3 qëndistarë, 1 matës (kandarxhi), 1 kasap, 1 përgjegjës për kujdesin e kuajve (imrahor), 1 marangoz, 3 përpunues të lëkurës, 1 farkëtar dhe 1 argjendar. Në mëhallën Mevlana Xhemal Fakih janë regjistruar 1 imam, 1 masazher, 2 kasapë, 1 naib, 1 qilargji dhe 1 katip.
Megjithëse defterët osmanë nuk ofrojnë të dhëna të drejtpërdrejta mbi aspektin etnik të banorëve, referuar emrave të baballarëve të zejtarëve në mëhallën Kasim Hoxha, shohim se, nga 26 persona të regjistruar, 16 prej tyre si emër i babait figuron Abdullahu (i nënshtruari i Zotit),14 që nënkupton se 61.5% ishin myslimanë të sapo konvertuar në islam. Ky realitet vërtetohet edhe në rënien e numrit të jo myslimanëve dhe rritjen e numrit të myslimanëve.
Në regjistrimin e vitit 1520 të ejaletit të Bosnjës, Mitrovicën e gjejmë të regjistruar si Tregu i Dhimitrofcës (bazar-ı Dimitrovça), në kuadër të nahijes së Zveçanit. Megjithëse nuk kemi ndryshime në numrin e mëhallëve, emrat e tyre nuk janë identifikuar sipas imamëve, siç ishte praktikuar në dy regjistrimet e mëhershme të viteve 1485 dhe 1489, por me emërtimin e mesxhidit dhe themeluesve të tyre.
Konkretisht, në defterin e vitit 1520 kemi të regjistruar mëhallën e mesxhidit të të ndjerit Isa Bej dhe atë të mesxhidit të Vojvodës Hoshkadem. Nga këto të dhëna del se në këtë kohë janë 76 shtëpi myslimane, 2 vejusha dhe 27 beqarë. Ndërsa bashkësia e jomyslimanëve formohej nga 8 shtëpi dhe 5 bashtina. Përveç kësaj është regjistruar edhe një mezra e cila identifikohet si Çiftlik i Zhabarit, në pronësi të Barakut të birit të Atmaxhës, me 9 shtëpi myslimane dhe një beqar si dhe një shtëpi jo myslimane.

Përkthimi fjalë për fjalë i të dhënave në defterin e vitit 1520:
Nahija: Zveçan
Qendra e tregut të Dhimitrovcës e varur nga Zveçani
Mëhalla mesxhidi i të ndjerit Isa Bej:
Shtëpi myslimane: 14
Beqarë: 25
Vejusha: 2
Mëhalla Mesxhidi Vojvoda Hoshkadem:
Shtëpi myslimane: 35
Beqarë: 5
Vejusha: 2
Xhemati (bashkësia) jo mysliman:
Shtëpi: 8
Bashtina: 5
Çifligu i Barakut të birit të Atmaxha-s në Mezranë e Zhabarit:
Shtëpi myslimane: 9, beqar: 1
Shtëpi jo myslimane: 1
Sipas regjistrimit të vitit 1550, Dhimitrofcës/Mitrovicës iu kishin shtuar edhe dy mëhallë të reja. Bëhet fjalë për mëhallën e Haxhi Nasuhit dhe atë të mesxhidit të të ndjerit Apardi Hysejn. Nga renditja në defter del se mëhalla më e madhe është ajo e Mesxhidit Isa Bej, me 43 çifte (të martuar) dhe 5 beqarë, pastaj mëhalla e Vojvodës Hoshkadem me 29 çifte (të martuar) dhe 2 beqarë. Në mëhallën e Haxhi Nasuhit janë regjistruar vetëm 17 çifte (të martuar). Ndërsa në mëhallën e Mesxhidit të të ndjerit Apardi Hysejn janë regjistruar 39 çifte (të martuar) dhe 1 beqar.
Tregu i Dhimitrovcës/Mitrovicës në këtë kohë ishte Has (burim shtetëror me të ardhura vjetore nga 100.000 akçe e sipër) i Jusufit të birit të Hasanit.16 Në regjistrimin e vitit 1604, Dhimitrovcën/Mitrovicën e gjejmë në varësi të Nahijës së Zveçanit, e cila formohej nga mëhalla Mesxhidi Apardi Bej me 13 çifte (të martuar), 4 beqarë, 1 imam hatip (ligjërues), 1 muezzin dhe një myteveli (administrator).
Në Mëhallën e Vojvodës Hoshkadem:
8 çifte (të martuar), 1 beqar, 1 imam dhe 1 myezin.
Mëhalla e Haxhi Nasuhit:
1 imam, 1 myezin, 12 çifte (të martuar) dhe 2 beqarë.
Mëhalla e Xhamisë Isa Beg:
1 imam hatib, 1 myezin, 27 çifte dhe 3 beqarë.
Nga regjistrimet e fillimshekullit XVII, kuptojmë se Dhimitrovca pas rreth 120 viteve nën sundimin osman fillon të marrë panoramën e një qyteti me stil osman, ku bërthamën e qytetit e përbënte Xhamia kryesore. Në këtë kontekst mund të konstatohet se dy dekadat e fundit të shekullit XVI përbëjnë periudhën kur Mesxhidit të themeluar nga Isa Beu (i njohur me emrin e themeluesit Mesxhidi Isa Bej), i vendoset Minberi dhe kështu shndërrohet në Xhami, ku mund të kryhej edhe falja e Namazit të Xhumas.
Njëherësh edhe prezenca e imam hatibit (ligjëruesit) në mesxhidin Apardi Bej, po ashtu i themeluar para vitit 1528, lë të nënkuptohet se edhe ky mesxhid paralelisht me atë të Isa Begut, u shndërrua në Xhami. Pra, Dhimtrovca/Mitrovica në shekullin XVII kishte dy Xhami dhe një mesxhid të cilat ishin në shërbimin e qytetarëve.
Ky konstatim gjen mbështetje edhe në veprën e gjeografit dhe kozmografit osman Ashëk Mehmed i cili në muajin maj të vitit 1594, kaloi nëpër Mitrovicë, ku përmend Xhaminë, Hamamin dhe një çarshi të mbyllur.
Evlija Çelebiu, në vitin 1662, Dhimitrovcën e përmend me emrin modern Mitrovicë. Sipas tij kjo kala, e cila në këto anë njihet si Mitrovica e Kosovës, është pushtuar nga i biri i Orhan Gazit, Murat Hudavendigari (1360-1389). Ai përmend edhe teqenë e Mustafa Babës, ku jetojnë Dervishët e rendit Bektashi, e cila gjendej në afërsi të kufirit të kasabasë së Zveçanit dhe këtu ishte edhe skaji i fundit i ejaletit të Bosnjës.
Me mjaft rëndësi janë edhe të dhënat që jep Cornelli në “Iliricum”, sipas të cilit në vitin 1688-89, Dhimitrovca formohej nga 200 shtëpi.20 Pikërisht në këto vite Mitrovica ishte qendër e kadillëkut, që nënkupton se kemi të bëjmë me një kaza osmane.
