Rreth nesh
Ottoman Heritage in Mitrovica është projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), i cili synon të paraqesë historinë, kulturën dhe arkitekturën e Mitrovicës gjatë periudhës osmane. Përmes dokumentimit vizual dhe përmbajtjeve informative, projekti promovon trashëgiminë historike dhe vlerat arkitekturore të qytetit të Mitrovicës.
Ne jemi një projekt i dedikuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë osmane në Mitrovicë. Qëllimi ynë është të sjellim më afër historinë, kulturën dhe vlerat e qytetit përmes përmbajtjes informative dhe vizuale. Përmes artikujve, galerive dhe materialeve të ndryshme, synojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe interesin për këtë periudhë të rëndësishme historike. Ky projekt shërben si një urë lidhëse mes së kaluarës dhe brezave të sotëm.
Takoni ekipin
Njihni anëtarët e ekipit tonë që punojnë me pasion për të ruajtur dhe prezantuar trashëgiminë e Mitrovicës.
Menaxher projekti
Oktaj Hasani është historian, asistent në Universitetin e Prishtinës dhe kandidat për doktoratë në Universitetin e Tiranës, me fokus kërkimor në historinë moderne të Kosovës dhe Ballkanit, veçanërisht në lëvizjet studentore, rezistencën paqësore dhe zhvillimet socio-politike gjatë shekullit XX.
Ai ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore ndërkombëtare në Kosovë, Shqipëri, Turqi, Itali, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka prezantuar tema që lidhen me demonstratat studentore në Kosovë, historinë shqiptare gjatë periudhës osmane, rezistencën politike dhe çështjet e kujtesës historike.
Hasani është autor dhe bashkautor i disa artikujve shkencorë të botuar në revista ndërkombëtare të recensuara, ndër to: Balkanistica, East European Historical Bulletin dhe Eminak. Publikimet e tij trajtojnë tema si protestat studentore të vitit 1997, demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, ndikimi i shtetit jugosllav në media, si dhe historia politike e Kosovës gjatë shekullit XX.
Përveç angazhimit shkencor, ai ka realizuar edhe mobilitete akademike në kuadër të programit Erasmus+, si ligjërues në Philipps-Universität Marburg në Gjermani dhe pjesëmarrës në International Staff Week në Kastamonu University të Turqisë.
Autor
Orges Fejaz Drançolli (1988) është historian, historian arti dhe studiues i historisë, kulturës dhe artit të periudhës osmane në Kosovë. Ai ka lindur në Prishtinë, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Studimet Bachelor dhe Master (drejtimi: Koha e Re) i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Historisë, përkatësisht në vitet 2011 dhe 2013. Në vitin 2019 përfundoi studimet e doktoratës në histori arti në Universitetin e Stambollit, në Institutin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Shkencave dhe Letërsisë, Departamentin e Historisë së Artit.
Aktualisht punon si bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në kuadër të Departamentit të Historisë Kulturore dhe Studimeve Gjinore. Ai është autor i monografisë me titull “Xhamitë me kube në Kosovë”, si dhe i disa punimeve shkencore, ndërsa ka marrë pjesë në konferenca të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Që nga viti 2025, është udhëheqës i Departamentit të Historisë Kulturore dhe Studimeve Gjinore.
Konsulent Shkencor
Prof. Ass. Dr. Mentor Hasani, njëherësh Shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është historian dhe studiues i angazhuar në fushën e historisë socio-ekonomike dhe politike shqiptare.
Autor dhe bashkautor i një numri monografish, artikujsh shkencorë dhe kumtesash në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ai ka dhënë kontribut të veçantë në trajtimin e çështjeve historike shqiptare dhe të trashëgimisë kulturore. Krahas punës akademike, është angazhuar edhe në projekte kulturore, ekspozita dokumentare dhe promovimin e kujtesës historike.
Më 17 qershor 2025, në Ditën e Çlirimit të Vushtrrisë, iu nda çmimi “Pena e Artë” nga Komuna e Vushtrrisë, një vlerësim që jepet vetëm një herë në vit për personalitete të dalluara në fushën e arsimit, shkencës, artit dhe kulturës. Ai ka marrë gjithashtu mirënjohje të ndryshme nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik dhe organizata të shoqërisë civile për kontributin e tij akademik dhe qytetar. Po ashtu, është nderuar me titullin “Ambasador për Paqe” nga Universal Peace Federation, në vlerësim të angazhimit në promovimin e dialogut, paqes dhe vlerave shoqërore.
Autor
Agron (Isa) Islami. U lind më 8 dhjetor 1982 në fshatin Shurdhan të komunës së Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan. Në vitin 2006 përfundoi studimet e nivelit Bachelor në Departamentin e Orientalistikës, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës. Gjatë vitit 2007 përfundoi kursin e gjuhës turke në Universitetin publik të Stambollit.
Gjatë vitit 2008–2010 përfundoi studimet e masterit në Departamentin e Historisë së Kohës së Re (Periudhë osmane) në Universitetin publik Sakarya, Instituti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Shkencave dhe Letërsisë në Adapazar të Turqisë, ku u specializua në leximin (deshifrimin) dhe interpretimin e defterëve të kadiut osman gjatë shekullit XVII.
Gjatë vitit 2010–2012 punoi si mësimdhënës i historisë në shkollën ndërkombëtare ISP në Prishtinë. Në vitin akademik 2012/2013 fitoi bursën shtetërore (Türkiye Scholarships) të Republikës së Turqisë për studimet e doktoraturës në Universitetin publik të Stambollit, Instituti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Shkencave dhe Letërsisë, Departamenti: Koha e Re, të cilat i përfundoi në nëntor të vitit 2021 me temën “Aspekte socio-ekonomike në trevën e Kosovës gjatë shek. XVIII”.
Në prill të vitit 2015 filloi punën si hulumtues i pavarur shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë (IHP). Nga viti 2026 është bashkëpunëtor i lartë shkencor (ekuivalente me prof. asoc. dr.) për periudhën osmane (Kohë e Re) në IHP. Ka të botuar dhjetëra njësi bibliografike, studime, artikuj, kapituj dhe vështrime në fushën e historisë shqiptare gjatë kohës osmane. Ka marrë pjesë në dhjetëra simpoziume dhe konferenca shkencore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Turqi, Austri dhe Irlandë.
Është autor i 4 vëllimeve me mbi 600 epitafe në gjuhën osmane të hulumtuara në regjionin e Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Ferizajt (“Epitafet në Gjuhën Osmane: Dëshifrimi dhe përkthimi i tyre”, Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame) dhe i monografisë “Areali i Kosovës në kohën osmane”, botim i Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, 2024. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Fotograf
Visar Hapqiu ka lindur më 26 janar 1982 në qytetin historik të Prizrenit. Ai është një fotograf dhe videograf profesionist i njohur për pasionin, kreativitetin dhe përkushtimin e tij në kapjen e momenteve unike përmes objektivit.
Me një përvojë të gjatë në industrinë vizuale, Visari operon kryesisht në sektorin privat, ku ka ndërtuar një karrierë të suksesshme duke u fokusuar në projekte të ndryshme mediale, promovime biznesesh dhe produksione video. Kohëve të fundit, ai ka zgjeruar veprimtarinë e tij me hapjen e një studioje të re dhe moderne në Prizren, duke ofruar shërbime të standardeve të larta për komunitetin lokal dhe më gjerë.
Përveç punës në terren me kamera, Visari dallohet për ndjekjen e trendeve më të reja teknologjike. Ai zotëron aftësi të shkëlqyera në manipulimin digjital të imazheve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për efekte kreative, si dhe është i apasionuar pas teknologjisë së dronëve për realizimin e pamjeve ajrore mahnitëse.
I martuar dhe i integruar plotësisht në jetën dinamike të qytetit të tij të lindjes, Visar Hapqiu vazhdon të mbetet një emër reference në fushën e fotografisë dhe videografisë në rajonin e Prizrenit.
Lektor
Prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni (1985) është doktor i shkencave në gjuhësi dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Gjuhësisë, në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Ka qenë i angazhuar si asistent dhe profesor në universitete të ndryshme në Kosovë (Gjilan, Gjakovë, Prishtinë).
Është shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik dhe kryeredaktor i revistës “Gjuha shqipe”, organ i Institutit Albanologjik, që trajton çështje teorike dhe praktike të kulturës së gjuhës dhe të shqipes standarde në përgjithësi. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” – seria e shkencave filologjike (2019–2022). Është gjithashtu hartues në “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Deri më tani ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka botuar punime në revista shkencore si “Gjurmime albanologjike”, “Studime filologjike”, “Gjuha shqipe”, “Albanologji” dhe “Albanologia – International Journal of Albanology”.
Ka botuar këto vepra: Vështrim mbi leksikun dhe frazeologjinë e Vushtrrisë me rrethinë (2017), Terminologjia e kompjuteristikës në gjuhën shqipe (2020), Bibliografi e revistës “Gjuha shqipe” 1982–2022 (2022), Rreth leksikut terminologjik islam në gjuhën shqipe (2023), Fjalor dialektor i së folmes shqipe të Vushtrrisë (2024), Studime gjuhësore (2025), “Gjurmime albanologjike” 1962–2022 (2025), si dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe (2025).
Gjeograf
Faton Beqiri është i diplomuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ka përfunduar studimet Bachelor në Gjeografi dhe aktualisht ka përfunduar studimet Master në fushën e Gjeografisë. Tema e tij e masterit fokusohet në analizën GIS të përdorimit të tokës në qytetin e Mitrovicës, duke reflektuar interesimin e tij për analizën hapësinore dhe planifikimin territorial.
Gjatë rrugëtimit të tij profesional, Fatoni ka punuar si mësimdhënës dhe asistent në institucione arsimore në Kosovë, ndërsa aktualisht është i angazhuar si mësimdhënës në Kosovo Leadership Academy. Përveç përvojës në arsim, ai ka ndjekur trajnime dhe certifikime profesionale në fushën e GIS-it dhe analizës hapësinore, përfshirë programe të organizuara nga FLOSSK, RIT Kosovo – AUK dhe Teach for Kosovo.
Faton Beqiri posedon njohuri të avancuara në përdorimin e platformave dhe softuerëve profesionalë si ArcGIS, ArcMap dhe QGIS, me fokus në analizën hapësinore, krijimin e geo-databazave dhe geoprocessing. Ai ka marrë pjesë edhe në aktivitete dhe konferenca ndërkombëtare, si EGEA Annual Congress 2019 në Çeki, ku trajtoi tema që lidhen me turizmin dhe zhvillimin e zonave periferike.
Me aftësi të mira në punë ekipore, përshtatshmëri dhe komunikim profesional, Fatoni synon të kontribuojë në zhvillimin e projekteve që lidhen me teknologjinë gjeohapësinore, arsimin dhe analizën territoriale në Kosovë.
Input your search keywords and press Enter.